Bashkitë që shkrihen do të kenë nënkryetarë, Mazniku: Shërbimet mbeten aty ku janë

Bashkëkryetari i Komisionit për Reformën Administrativo-Territoriale, Arbjan Mazniku, ka mbrojtur propozimin për ndarjen e re territoriale, duke marrë si shembull bashkimin e Elbasanit me Cërrikun dhe Belshin.

Sipas Maznikut, Elbasani është “pika natyrore e gravitetit” për këtë zonë dhe modeli i propozuar synon të ruajë përfaqësimin lokal, identitetin e qyteteve dhe aksesin e qytetarëve në shërbime.

Ai theksoi se çdo bashki që pritet të shkrihet do të ketë një nënkryetar dhe se banorët do të vijojnë t’i marrin shërbimet në të njëjtat zyra ku i marrin edhe sot.

“Elbasani është pika natyrore e gravitetit, këtu ruajmë tre qytete, qytetin e Elbasanit, cërrikut dhe Belshit, secili prej këtyre qyteteve do vazhdojë të ketë një nënkryetar përgjegjës për secilin territor dhe do të ketë një kuotë propcionale në këshillin bashkiak që krijohet nga kjo bashki e madhe, duke i siguruar përfaqësimin, vijueshmërinë e funksionalitetit, ruajtjen e identitetit dhe të gjitha funksionet që sot një banor merr në Cërrik apo Belsh do vazhdojë ti marrë aty ku i ka marrë gjithmonë.

Asnjë shërbim nuk largohet nga territori.

Elementët që konsolidohen janë planifikim buxhetor, planifikimi urban, planifikimin e zhvillimit ekonomik, elementë ligjor. Pastrimi i kanalit kullues vaditës do vazhdojë të ndodhe nga struktura e qytetit, planifikimi menaxhimi i një flote mjetesh, planifikimi i kohës kur bëhet, do të bëhet nga një njësi e përqendruar”, tha Mazniku.