Euro ka vijuar rënien në kursin e këmbimit me lekun, duke prekur një minimum të ri historik. Sipas agjentëve të këmbimit valutor, zhvlerësimi i euros lidhet me rritjen e ofertës së valutës gjatë sezonit turistik, por edhe me faktorë ekonomikë si rritja e investimeve të huaja direkte dhe përmirësimi i bilancit të llogarisë korrente.
Nga ana tjetër, në opinionin publik vijojnë të ngrihen dyshime se kursi ndikohet edhe nga hyrja e valutës që buron nga aktivitete informale ose kriminale.
Banka e Shqipërisë ka ndërhyrë vazhdimisht në treg për të blerë euro, në përpjekje për të zbutur forcimin e lekut. Megjithatë, ndërhyrjet nuk kanë arritur ta ndalin plotësisht rënien e monedhës europiane. Që nga fillimi i vitit 2024 deri në fund të tremujorit të parë të 2026-ës, Banka e Shqipërisë ka tërhequr nga tregu rreth 2.2 miliardë euro, ndërsa vetëm këtë javë raportohet se ka ndërhyrë dy herë për blerje valute.
Ditën e sotme dollari amerikan në blerje do të këmbehet me 79.9 lekë, në shitje me 81.2 lekë.
Euro do të blihet me 92.5 lekë, do të shitet me 93.5 lekë.
Franga zvicerane blihet me 99 lekë dhe shitet me 100 lekë.
Ndërsa paundi britanik blihet me 107.5 lekë dhe shitet me 109 lekë.
Dollari kanadez këmbehet me 56.8 lekë në blerje dhe me 57.8 lekë në shitje.

