Kjo ditë e nxehtë gushti prej 29 vitesh tanimë është festë në familjen e ministrit të Drejtësisë, Toni Gogu. Ai dhe bashkëshortja e tij, Edi, çdo 24 gusht festojnë për dashurinë e tyre. E në këtë ditë kaq speciale ministri Gogu, të cilin rrallëherë e kemi parë të shfaqet në publik jashtë kornizave të politikanit, ka ardhur me disa fjalë zemre pikërisht për dashurinë e tij, Edin. Vajzën të cilës 29 vite i parë i tha po dhe ka qenë “bingo” e jetës së tij.
“Edi Gogu , 29 vjet më parë, kur të thashë “po, dua”, bëra bingo. Ende më mahnit dashuria jote e pasosur. Stili yt që çdo vend na e kthen në fole dashurie është i magjishëm. Gëzuar përvjetorin, Dashuri. Sot do thoshja përsëri me të njëjtin padurim “Po, dua””, shkruan ai.
Kujtojmë se në një intervistë të dhënë më herët, Toni dhe Edi Gogu kanë rrëfyer se janë njohur në kishë, ku fillimisht kanë krijuar një miqësi të bukur, që me kalimin e kohës do të merrte një tjetër kuptim.
Duke folur për familjen dhe marrëdhënien e tyre, çifti ka treguar se kanë ndërtuar një familje shumëngjyrëshe, ku secili prej tyre ka rolin dhe hapësirën e vet. Mes rrëfimeve, Edi ka ndarë edhe një detaj që tërhoqi vëmendje, ajo ka pranuar se kur gabon di të kërkojë falje, një qasje jo gjithmonë e zakonshme në kulturën shqiptare.

