Analisti Fatos Lubonja ka komentuar protestën qytetare dhe reagimin e kryeministrit Edi Rama, duke deklaruar se tubimi nxori në pah një pakënaqësi të madhe të qytetarëve ndaj qeverisjes.
Në një intervistë për “News 24”, Lubonja u shpreh se ajo që u pa në protestë tregon se Shqipëria, sipas tij, nuk funksionon si një demokraci, por si një regjim. Ai ia atribuoi përgjegjësinë kryesore për situatën kryeministrit Edi Rama, ndaj të cilit përdori edhe termin “padrinoja”.
“Një gjë është e qartë që ai është përgjegjësi kryesor i kësaj pune. Ai është padrinoja dhe çdo gjë që bën ai e bën për të mbrojtur veten dhe gjithë bandën që ka krijuar, se po i ra pushteti, bie gjithçka. Në këto aspekte, brenda kontekstit ndërkombëtar, ka qëndruar në të tijën”, deklaroi Lubonja.
Analisti pretendoi se kryeministri do të përpiqet të mbrojë sistemin e ngritur rreth pushtetit të tij, duke përdorur edhe raportet me ndërkombëtarët, përçarjen e protestës apo afrimin e personave të ndryshëm.
“Është i detyruar të mbrojë këtë sistem, ai do të përdorë gjithë dinakërinë për të mashtruar ndërkombëtarët, përçarë protestën, blerë njerëz dhe për të vazhduar të sundojë”, tha Lubonja.
Gjatë intervistës, ai u ndal edhe te ndërtimet në Tiranë, teksa iu referuar një lajmi që kishte parë një javë më parë për të ardhurat e mbledhura nga taksat e ndërtimit.
“Para një jave pashë një lajm që fliste që në Tiranë taksat e ndërtimit tregojnë se sa po betonizohet Tirana dhe janë mbledhur 5 herë më shumë se viti i kaluar. Që do të thotë se ata që investojnë, ata që pastrojnë paratë i kanë bërë pazaret”, u shpreh Lubonja.
Sipas analistit, Edi Rama do të vijojë të mbrojë mënyrën aktuale të qeverisjes, ndërsa protestën qytetare ai e sheh si shprehje të pakënaqësisë së akumuluar ndaj qeverisë.
