Kritikat ndaj Bashkisë Maliq kanë vijuar gjatë protestës, ku një qytetar ngriti akuza për problemet që, sipas tij, ekzistojnë brenda administratës dhe për mungesën e investimeve në zonat rurale.
“Për bashkinë ka shumë probleme brenda bashkisë. Nuk kemi ç’të themi më për korrupsionin, por edhe administrata nuk është në bazë të meritokracisë, por është partiake”, u shpreh qytetari.
Ai përmendi edhe situatën në Pallatin e Kulturës, duke kërkuar vëmendje ndaj mënyrës se si funksionojnë institucionet lokale.
Më tej, qytetari foli për aktivitetet që zhvillohen në fshatra dhe për shpenzimet që, sipas tij, përballohen nga taksapaguesit.
“Po ta filloj që nga Pallati i Kulturës, mirëpo nëpër fshatra ka filluar një ‘Takim Brezash’. Ne, si taksapagues nëpër fshatra, paguajmë orkestra private të bashkisë”, deklaroi ai.
Kritikat u shtrinë edhe te problemet infrastrukturore dhe bujqësia, të cilat sipas tij mbeten ndër shqetësimet kryesore të banorëve.
“Mos flasim për problemet me rrugët dhe bujqësinë, që janë katastrofë”, tha qytetari.
Ai kërkoi që vëmendja e institucioneve të përqendrohet te nevojat konkrete të banorëve, veçanërisht në fshatra, duke ngritur pikëpyetje mbi mënyrën se si administrohen fondet dhe prioritetet e bashkisë.
