Debati për të ardhmen administrative të Bashkisë Maliq është shoqëruar me reagime të forta gjatë protestës, ku kërkohet që çdo ndryshim territorial të bëhet vetëm pas konsultimit me qytetarët. Nje qytetar deklaroi se për një ndryshim të tillë duhet të merret mendimi i popullit, duke propozuar zhvillimin e një referendumi.
“Kjo lëvizje e madhe duhet të ketë mendimin e popullit ose të bëhet referendum”, u shpreh qytetari.
Duke folur për prioritetet e qeverisjes, ai kritikoi atë që e konsideroi përqendrim te projektet turistike, kullat dhe koncertet, ndërsa sipas tij problemet e qytetarëve mbeten pa zgjidhje.
“Atij i është bërë mendja resorte, kulla, koncerte dhe ka harruar hallet e popullit”, deklaroi qytetari.
Ai ngriti gjithashtu pyetjen se përse duhet të ndryshohet struktura e bashkive, ndërkohë që, sipas tij, banorët e Maliqit përballen me probleme të shumta ekonomike dhe sociale.
“Pse do t’i prishë bashkitë kur populli i hedh patatet në lumë?”, tha ai, duke iu referuar vështirësive me të cilat përballen fermerët.
Sipas tij, Bashkia Maliq është një nga bashkitë e rëndësishme të zonës dhe përpara çdo vendimi për ndryshimin e saj duhet të zgjidhen problemet e qytetarëve.
Qytetari iu referua edhe diferencës së numrit të banorëve, duke krahasuar Bashkinë Maliq me rreth 32 mijë banorë me Bashkinë Korçë, për të cilën deklaroi se rezulton me rreth 16 mijë banorë.
“32 mijë këtu, 16 mijë në Korçë. Të prishet Bashkia Maliq dhe të bëhet e Korçës? Siç tha Arjan Asimi, ka falimentuar Korça; hajde ta rregullojmë ne me Maliqin”, u shpreh ai.
Protestuesit kërkojnë që çdo ndryshim i mundshëm në organizimin territorial të mos bëhet pa u konsultuar me banorët dhe që shqetësimet e komunitetit të Maliqit të marrin zgjidhje konkrete.
