Korça, një prej destinacioneve më të preferuara turistike në juglindje të vendit, këtë fundgushti duket shumë larg atmosferës së viteve të mëparshme. Gazetari Julian Hoxhaj cili ndodhet prej disa ditësh në Korçë për arsye pune, ka ngritur shqetësimin për situatën që ka hasur në qytet, duke e përshkruar atë si një “qytet fantazmë”.
Sipas tij, boshatisja e Korçës vihet re edhe në sektorin e akomodimit. Një tregues që ai sjell në vëmendje është platforma Booking, ku, sipas vëzhgimit të tij, çmimet e hoteleve kanë pësuar një rënie të ndjeshme.
“E vranë turizmin në juglindje me ‘hinkën’ e Bradasheshit dhe Korridorin VIII!”, shprehet ai, duke ngritur pikëpyetje mbi ndikimin që infrastruktura rrugore dhe problematikat e qarkullimit mund të kenë te turistët dhe vizitorët që zgjedhin juglindjen.
Korça ka qenë prej vitesh një nga destinacionet kryesore të turizmit të fundjavës, veçanërisht gjatë verës dhe periudhave festive. Por rënia e fluksit të vizitorëve do të kishte pasoja të drejtpërdrejta për hotelet, restorantet, baret dhe bizneset e tjera lokale.
Nëse tendenca e uljes së çmimeve dhe boshatisjes së akomodimeve konfirmohet edhe nga të dhënat zyrtare të prenotimeve, kjo do të ishte një sinjal shqetësues për sezonin turistik në juglindje.
Debati tashmë rikthehet te infrastruktura dhe aksesueshmëria e Korçës: a po i largojnë problematikat e rrugëve turistët nga një prej qyteteve më të vizituara të Shqipërisë?



