“Me këta njerëz bëhet shqipëria”/ Mesazhi për ish Prefektin e Korçës: “Nuk u bëra servil, intrigant, lëpirës

Nga Klevin Hasekiu:

Ky është Ardit Konomi !
ME KËTA NJERËZ BËHET SHQIPËRIA
🇦🇱

Ka njerëz që ngjiten lart duke u përkulur para pushtetit.
Ka të tjerë që, për një karrige, bëhen servilë, intrigantë e lëpirës.

Dhe pastaj ka njerëz që zgjedhin të mos bëhen të tillë.

Me Ardit Konomin u njoha te “Nisma për Fëmijët”, ku punuam bashkë. Unë isha i angazhuar për Elbasanin, ai për Korçën. Aty nuk njoha thjesht një ish-prefekt, ish-deputet apo drejtues institucioni. Njoha një njeri me bindje.

Arditi ka punuar si Prefekt i Korçës, ka drejtuar Spitalin Rajonal të Korçës, ka qenë deputet dhe ka punuar me organizata si UNDP, SIDA, WFP dhe Oxfam.

Por ajo që më ka mbetur më shumë në mendje nuk është posti që ka mbajtur.

Është një fjali që ma tha:

“Nuk u bëra servil, intrigant, lëpirës…”

Dhe ndoshta këtu qëndron edhe paradoksi i Shqipërisë sonë.

Sepse kur nuk përkulesh, shpesh të harrojnë.
Kur nuk duartroket shefin, të mbyllen dyert.
Kur nuk hyn në lojërat e vogla, mund të mbetesh jashtë.

Dhe sot Arditi nuk është aty ku ndoshta do të ishte një njeri që do të kishte zgjedhur servilizmin.

Por unë do ta quaja këtë jo humbje, por dinjitet.

Sepse postet ikin.
Pushteti ikën.
Karriget ndërrohen.

Karakteri mbetet.

Korça nuk ka nevojë vetëm për njerëz që premtojnë. Ka nevojë për njerëz që kanë eksperiencë, që e njohin shtetin dhe që nuk e kanë shitur veten për një post.

Unë e kam njohur në punë.
Kam punuar me të.
Dhe për këtë arsye po e them publikisht:

Korça ka nevojë për njerëz si Ardit Konomi.

Sepse Shqipëria nuk do të ndryshojë kur të kemi më shumë njerëz që dinë të përkulen.

Do të ndryshojë kur të kemi më shumë njerëz që dinë të qëndrojnë drejt. 🇦🇱

Me këta njerëz bëhet Shqipëria.

Leave a Reply

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.