Një konflikt mes katër personash ka ndodhur pasditen e kësaj të shtune në lagjen nr. 8, në zonën e Radanecit në Korçë. Sipas të dhënave paraprake, në konflikt janë përfshirë dy vëllezër dhe dy persona të tjerë, banues në të njëjtën zonë. Përplasja dyshohet se ka nisur për motive të dobëta, ndërsa shkak janë bërë fëmijët që po luanin në lagje.
Situata ka agravuar dhe palët dyshohet se janë përplasur fizikisht, duke përdorur edhe lopata dhe mjete të tjera të forta.
Si pasojë e konfliktit, dy persona kanë mbetur të plagosur. Ata janë transportuar në Spitalin Rajonal të Korçës, ku po marrin ndihmën e nevojshme mjekësore. Ende nuk dihet gjendja e tyre shëndetësore.
Në vendngjarje ka mbërritur policia, e cila ka nisur veprimet për dokumentimin e incidentit dhe zbardhjen e plotë të rrethanave që çuan në përplasjen mes fqinjëve.
Hetimet vijojnë për të përcaktuar përgjegjësitë e personave të përfshirë në konflikt.

