Sherr për zhurmën e fëmijëve/ 4 fqinjët përplasen me dru e lopata në Korçë…

Një konflikt mes katër personash ka ndodhur mbrëmjen e kësaj të shtune në lagjen nr. 8 të qytetit të Korçës, e njohur si Radaneci.

Sipas burimeve, në konflikt janë përfshirë katër persona, dy prej të cilëve janë vëllezër. Paraprakisht dyshohet se përplasja ka nisur për motive të dobëta, mes dy vëllezërve dhe dy fqinjëve të tyre.

Situata ka agravuar në përplasje fizike, ku dy vëllezërit kanë mbetur të dëmtuar lehtë në kokë. Ata janë transportuar në Spitalin Rajonal të Korçës, ku kanë marrë ndihmën e nevojshme mjekësore.

Pas marrjes së ndihmës mjekësore, të katër personat e përfshirë janë shoqëruar në komisariat, ku pritet të japin deklarimet e tyre për ngjarjen.

Sipas të dhënave paraprake, shkak i konfliktit dyshohet se është bërë zhurma që shkaktonin fëmijët teksa luanin në lagje. Gjatë përleshjes dyshohet se janë përdorur edhe sende të forta, përfshirë mjete prej druri.

Fatmirësisht, incidenti nuk ka sjellë pasoja të rënda, ndërsa grupi hetimor po vijon punën për të zbardhur plotësisht rrethanat dhe për të dokumentuar ngjarjen.