Alarmi për Korçën/ Rajoni qendror e bregdeti “kërkojnë punëtorë”, këtu shesin pronat për të investuar tjetërkund: Ku po ikin njerëzit dhe paratë?

Mjafton të udhëtosh drejt Elbasanit apo Durrësit dhe ndryshimi të bie menjëherë në sy. Tabela në biznese, fabrika, magazina, bare, restorante e kompani të ndryshme përsëritin të njëjtën kërkesë: “Kërkojmë punëtorë”.

Ka vende pune, ka aktivitet ekonomik, ka investime dhe, mbi të gjitha, ka një lëvizje njerëzish që të krijon përshtypjen se ekonomia atje është në kërkim të vazhdueshëm të fuqisë punëtore.

Kur kthehesh në Korçë, panorama duket ndryshe.

Këtu gjithnjë e më shumë njerëz duket se mendojnë për të kundërtën: si të shesin atë që kanë dhe ku të investojnë jashtë qytetit dhe te zhvendosen në rajonin qëndror..

Një shtëpi shitet. Një tokë shitet. Një biznes mbyllet ose lihet në pritje të një blerësi. Kursimet nuk shkojnë domosdoshmërisht për të hapur një aktivitet të ri në Korçë, por për të blerë një apartament në Tiranë, Durrës apo për të investuar diku tjetër.

Dhe ky është një sinjal që duhet të shqetësojë.

Ku po shkojnë njerëzit?

Korça ka një problem që nuk mund të fshihet pas fasadave, festivaleve apo numrit të turistëve.

Ekonomia lokale nuk po arrin të mbajë njerëzit.

Të rinjtë kërkojnë mundësi jashtë. Familjet mendojnë për emigracionin. Sipërmarrësit shohin qytete të tjera si mundësi më të mira për investim.

Ndërkohë, qyteti humbet gradualisht atë që është pasuria e tij më e madhe: njerëzit.

Nuk mjafton që një qytet të jetë i bukur.

Nuk mjafton të ketë kalldrëme, ndërtesa të restauruara, aktivitete kulturore apo turistë për disa ditë të vitit.

Një qytet jeton kur ka punë, paga, investime, prodhim dhe njerëz që besojnë se ia vlen të ndërtojnë të ardhmen aty.

Dhe pikërisht këtu Korça duket se ka mbetur pas.

Elbasani dhe Durrësi po tregojnë një tjetër realitet

Në Elbasan dhe sidomos në zonat me aktivitet industrial e ekonomik, kërkesa për punëtorë është bërë pjesë e përditshmërisë.

Në Durrës, zhvillimi i turizmit, ndërtimit, shërbimeve dhe lidhjes me Tiranën ka krijuar një treg pune që vazhdon të tërheqë njerëz dhe kapital.

Sigurisht, as këto qytete nuk janë pa probleme. Por dallimi qëndron te dinamika.

Atje sheh biznese që kërkojnë njerëz.

Në Korçë shpesh sheh njerëz që kërkojnë mundësi për t’u larguar.

Atje investitori mendon: “Çfarë mund të hap këtu?”

Këtu gjithnjë e më shumë njerëz pyesin: “Ku mund t’i çoj paratë e mia?”

Ky është ndryshimi që duhet të na shqetësojë.

Korça nuk ka nevojë vetëm për turistë

Turizmi është një mundësi e madhe për Korçën. Por turizmi i vetëm nuk mund të jetë përgjigjja për të gjithë.

Një qytet nuk mund të mbështetet vetëm te fundjavat, festivalet dhe vizitorët.

Duhet industri. Duhet bujqësi moderne. Duhet përpunim. Duhet teknologji. Duhet shërbime. Duhet kompani që të krijojnë vende pune me paga që i bëjnë të rinjtë të mendojnë dy herë para se të largohen.

Sepse problemi më i madh nuk është se Korça nuk ka njerëz të zotë.

Problemi është se nuk po krijon mjaftueshëm arsye që ata të qëndrojnë.

Dhe kur një qytet humbet njerëzit, humbet edhe konsumatorët, sipërmarrësit, familjet e reja, nxënësit, profesionistët dhe në fund edhe investimet.

Po shesim të tashmen dhe blejmë të ardhmen diku tjetër?

Ndoshta pyetja më e fortë që duhet t’i bëjmë vetes është kjo:

Pse një korçar do të preferonte të shiste një pronë në Korçë dhe të investonte paratë në Durrës, Tiranë apo qytete të tjera?

Pse një i ri nga Korça duhet të shkojë në Elbasan, Tiranë apo jashtë Shqipërisë për të gjetur një punë që të ardhurat t’i japin mundësinë të ndërtojë jetën?

Dhe mbi të gjitha:

Pse në disa qytete shikon tabela “KËRKOJMË PUNËTORË”, ndërsa në Korçë duhet të pyesësh veten se ku po shkojnë punëtorët?

Ky nuk është thjesht një problem i një biznesi apo i një bashkie.

Është një problem i modelit ekonomik të qytetit.

Korça ka potencial, ka traditë, ka arsimim, ka turizëm, ka tokë, ka kulturë dhe ka një pozicion të rëndësishëm.

Por potenciali nuk mjafton.

Nëse njerëzit largohen, kapitali largohet dhe investimet shkojnë diku tjetër, atëherë qyteti rrezikon të mbetet vetëm i bukur në fotografi.

Dhe ndoshta ka ardhur koha që për Korçën të mos flasim vetëm për sa e bukur është, por të pyesim më seriozisht:

Ku janë vendet e punës? Ku janë investimet? Ku janë të rinjtë? Dhe mbi të gjitha, çfarë po bëhet që Korçari të mos mendojë më të shesë atë që ka për të investuar diku tjetër?