Gazetari Osman Stafa ka folur lidhur me dorëheqjen e ministres së Shëndetësisë, Evis Sala. Ai e ka cilësuar largimin e saj si të paramenduar. Sipas Stafës, ministrja nuk ka qenë e sinqertë në shpjegimin e arsyeve të largimit të saj. Gazetari iu referua gjithashtu raportimeve për një përplasje të mundshme mes Salës dhe kryeministrit Edi Rama, por pa paraqitur prova për këtë pretendim.
“Prisja që Evis Sala të ishte e sinqertë në ikjen e saj. Së paku, kur të ikte, të ishte e sinqertë, por nuk është e tillë. Ka qenë një dorëheqje e paramenduar”, deklaroi Stafa.
Gazetari tha gjithashtu se, pas largimit mund të ketë pasur mosmarrëveshje mes kryeministrit dhe ministres.
“Flitet se ka pasur një përplasje mes Ramës dhe Salës. Kryeministri i ka kërkuar ministres që të firmosë çështjen e ‘superkompanisë’, gjë që nuk është pranuar nga ministrja dhe raportet e tyre janë ndërprerë”, tha ai.
Stafa u ndal më tej te gjendja e sistemit shëndetësor, veçanërisht te situata e pacientëve në Spitalin Onkologjik.
“Sado unë të gënjej apo ministrja, pacientët tek Onkologjiku e dinë të vërtetën e situatës në shëndetësi”, u shpreh gazetari.
Ai ngriti akuza edhe për mungesën e medikamenteve, duke theksuar se organizata dhe fondacione të ndryshme janë detyruar të ndihmojnë financiarisht pacientët që kanë nevojë për kimioterapi.
“Fondacionet kanë dhënë para për pacientët për kimioterapi dhe qeveria nuk ka bërë asgjë. Shumë medikamente mungojnë ende. Nuk mund të flasë për arritje vetëm me propagandë, sepse ka lënë gratë dhe vajzat pa ilaçe”, deklaroi Stafa.
Gazetari përdori tone të ashpra për të përshkruar situatën në shëndetësi, duke e cilësuar korrupsionin si të përhapur në të gjithë sistemin.
“Kemi një sistem shëndetësor të rënë dhe tërësisht të korruptuar. Këta bëjnë propagandën e vdekjes”, përfundoi Osman Stafa.
