Detaje të reja kanë dalë nga plagosja që ndodhi këtë të enjte në qytetin e Korçës, ku Dhimitër Shaka u qëllua me armë zjarri në këmbë dhe më pas është transportuar drejt spitalit. Bëhet me dije se autori Nikolin Tarusha dhe i plagosuri Dhimitër Shaka, janë kushërinj me njëri-tjetrin.
Po ashtu bëhet me dije se Tarusha dhe Shaka ishin duke udhëtuar bashkë në një makinë, ndërsa në një moment Nikolin Tarusha ka nxjerrë armën e zjarrit dhe ka plagosur kushuririn e tij.
Ende nuk dihet se çfarë e shtyu Tarushën që të qëllonte me armë kushëririn e tij, ndërsa policia i është vënë pas për ta arrestuar.
Mësohet se në vendngjarje kanë mbërritur menjëherë shërbimet e Policisë së Shtetit, të cilat kanë rrethuar zonën dhe kanë ngritur pika kontrolli për kapjen e autorit. Ndërsa po ashtu grupi hetimor po vijon punën për zbardhjen e plotë të kësaj ngjarje.
Njoftimi i Policisë
Rreth orës 15:15, në lagjen nr. 4, dyshohet se shtetasi N. T. ka plagosur me armë zjarri, në këmbë, shtetasin Dh. Sh., 38 vjeç, për motive të dobëta. 38-vjeçari po merr mjekim në spital dhe është jashtë rrezikut për jetën .Shërbimet e Policisë kanë shkuar menjëherë në vendngjarje dhe po punojnë për kapjen e autorit të dyshuar. Grupi hetimor, në drejtimin e Prokurorisë, vijon veprimet për zbardhjen dhe dokumentimin e plotë të rrethanave të ngjarjes.
