Tragjedia në Pogradec/ QKUM sqaron helikopterët: “Natën nuk kryejmë misione”

Qendra Kombëtare e Urgjencës Mjekësore ka reaguar përmes kanalit të saj zyrtar në Facebook lidhur me debatin e ditëve të fundit mbi mungesën e transportit me helikopter në rastin e një 37-vjeçareje shtatzënë në Pogradec, e cila humbi jetën së bashku me foshnjën 7-muajshe që mbante në bark.

Në reagimin e saj, Urgjenca Kombëtare sqaron se realizimi i këtij lloj shërbimi gjatë natës është i pamundur, për shkak të kufizimeve që lidhen me operimin e helikopterëve në këto orare.

Ngjarja ka shkaktuar reagime të shumta në opinionin publik, ndërsa një prej çështjeve të ngritura lidhet me rastet kur shtetas të huaj, të përballur me probleme shëndetësore në zona të thella malore, janë transportuar me helikopter për të marrë ndihmë mjekësore. Në këtë kontekst, është ngritur pyetja se përse një ndërhyrje e tillë nuk ishte e mundur edhe në rastin e 37-vjeçares

Përmes reagimit të saj, Qendra Kombëtare e Urgjencës Mjekësore shpjegon, duke iu referuar kuadrit ligjor dhe rregullave në fuqi, rastet dhe kushtet në të cilat mund të realizohet transporti mjekësor me helikopter. Institucioni thekson gjithashtu se kriteret e përcaktuara zbatohen në mënyrë të barabartë për të gjithë, pa dallim.

“Mbi përdorimin e helikopterit dhe ofrimin e shërbimit të urgjencës mjekësore.

Në lidhje me diskutimet e ditëve të fundit mbi përdorimin e helikopterit për urgjencat mjekësore, si dhe mbi rastet kur ky shërbim u është ofruar shtetasve të huaj, Qendra Kombëtare e Urgjencës Mjekësore (QKUM) sqaron:

Veprimtaria e QKUM dhe e gjithë sistemit të urgjencës mjekësore mbështetet në Ligjin nr. 147/2014 “Për shërbimin e urgjencës mjekësore”, si dhe në aktet nënligjore në zbatim të tij.

Kush vendos për aktivizimin e helikopterit?

Aktivizimi i helikopter për rastet e urgjencës bëhet vetëm nga Njësia e koordinimit pranë QKUM-së, bazuar në vlerësimin mjekësor dhe operacional të rastit.

Vendimi nuk merret thjesht sepse një pacient është klasifikuar si “kod i kuq”, por duke vlerësuar njëkohësisht:

•gjendjen klinike dhe kodin e urgjencës;

•distancën nga struktura spitalore e përshtatshme;

•kohën e transportit tokësor krahasuar me atë ajror;

•nëse pacienti ndodhet në vendngjarje apo në një strukturë spitalore;

•nevojën për transferim në një strukturë më të specializuar;

•kushtet dhe mundësitë operative dhe të motit për realizimin e misionit.

Jo çdo kod i kuq është automatikisht indikacion për helikopter.

Në shumë raste, ambulanca mund ta dërgojë pacientin në spital më shpejt sesa koha që kërkohet për aktivizimin, ngritjen, mbërritjen dhe uljen e helikopterit.

Një kufizim tjetër i rëndësishëm që duhet të dijë opinioni publik është se aktualisht nuk disponojmë shërbim helikopteri për realizimin e misioneve mjekësore gjatë natës.

Pse QKUM u shërben edhe shtetasve të huaj?

Është ngritur gjithashtu pyetja se përse shërbimi i urgjencës, përfshirë kur plotësohen kriteret për transportin ajror, duhet t’u ofrohet shtetasve të huaj.

Përgjigjja është shumë e thjeshtë:

Sepse këtë e përcakton ligji shqiptar.

Ligji nr. 147/2014, në nenin 4, përcakton shprehimisht se shërbimi i urgjencës mjekësore ofrohet në të gjitha nivelet e tij për të gjithë shtetasit shqiptarë dhe të huaj me banim të përhershëm ose të përkohshëm në Shqipëri, si dhe për çdo shtetas të huaj që është duke kaluar në territorin e Republikës së Shqipërisë.

Po i njëjti nen përcakton si parim themelor barazinë në përfitimin e shërbimit të urgjencës mjekësore, pa asnjë diskriminim.

Pra, përballë një urgjence mjekësore, QKUM nuk bën dhe nuk mund të bëjë dallim nëse pacienti është shqiptar, turist apo shtetas i një vendi tjetër.

Kriteri është gjendja shëndetësore e pacientit, jo pasaporta e tij.

Nëse një shtetas i huaj pëson një urgjencë mjekësore në territorin e Republikës së Shqipërisë, sistemi ynë i urgjencës ka detyrimin ligjor t’i përgjigjet dhe t’i ofrojë ndihmën e nevojshme sipas të njëjtave kritere mjekësore dhe operative që zbatohen për çdo pacient.

Edhe përdorimi i helikopterit, kur plotësohen kriteret mjekësore dhe operative, nuk mund të kushtëzohet nga shtetësia e pacientit.

Urgjenca mjekësore nuk pyet për kombësi. Ajo vlerëson gjendjen klinike, rrezikun për jetën dhe kohën që kemi në dispozicion për ta shpëtuar atë.

Ky është njëkohësisht detyrim ligjor, profesional dhe njerëzor i sistemit të urgjencës mjekësore”, shkruhej në reagimin e Urgjencës Kombëtare.