Rama: “Çdo të premte në 17:00, Prania Besnike”/ Qytetarët do të qajnë hallet, deputetët do mbajnë shënime

Kryeministri Edi Rama u ka vendosur socialistëve një “detyrim” të ri që çdo të premte, në orën 17:00, përfaqësuesit e Partisë Socialiste duhet të jenë përballë qytetarëve për t’i dëgjuar dhe për t’u përballur me hallet e tyre. Në mbledhjen e Grupit Parlamentar të PS-së, Rama prezantoi nismën “Prania Besnike”, e cila sipas tij do të shtrihet në të gjithë territorin e vendit dhe do të zhvillohet çdo të premte, në të njëjtën orë dhe në të njëjtin vend,

për sa kohë ai do të jetë kryetar i Partisë Socialiste.

Në thelb, Rama kërkon që deputetët dhe përfaqësuesit socialistë të dalin nga zyrat dhe të ulen përballë qytetarëve, jo për mitingje apo takime elektorale, por për të dëgjuar ankesat dhe problematikat e tyre.

“E premtja e kësaj jave në orën 17:00 është fillimi i pranisë në gjithë territorin e Republikës, dhe nuk do të ndryshojë orë në asnjë të premte derisa unë të jem kryetar i PS. Në orën 17:00 do të jemi të gjithë aty ku e kërkon prania besnike.

Por ‘Prania Besnike’ s’është mbledhje. ‘Prania Besnike’ është dëgjim me radhë, ballë për ballë, tek për tek, me zë të ulët.

Kushdo të qajë hallin vjen në atë vend dhe pret momentin kur do të ulen në tryezë me përfaqësuesit e vet, të cilët thjesht do mbajnë shënim çfarë robi i Zotit po flet me respekt. ‘Prania Besnike’ nuk pranon kamera. Pranon fotografi në fillim të takimit vetëm me miratimin e të pranishmëve, pa ekspozuar fytyrat e tyre. ‘Prania Besnike’ refuzon përkatësinë partiake.

S’ka pikë rëndësie i kujt partie je, apo për kë ke votuar.

Prania Besnike’ nuk pranon dhënien e numrit të telefonit për të mos e hapur dhe dhënien e shpresës se dikush mund të ndihmojë jashtë rregullave. ‘Prania Besnike’ nuk kërkon t’i kthejë deputetët në sekserë të halleve të njerëzve dhe deputetët të mos marrin në telefon asnjë drejtor, por ta dërgojnë hallin në institucion. Në ‘Praninë Besnike’ nuk shkohet për të marrë vota, punësuar njerëz, apo rekrutuar patronazhistë, por për të marrë hallin dhe për ta referuar te institucionet”.