Ish-banorja e Big Brother VIP 3, Françeska Murati, ka folur për herë të parë hapur për ndarjen nga ish-partneri i saj, babai i djalit të saj, një histori që është komentuar gjatë në rrjet. Françeska ka sqaruar se ndarja ka ndodhur prej kohësh, ndërsa pavarësisht kësaj, marrëdhënia mes tyre ka mbetur e mirë.
Ajo theksoi se të dy vazhdojnë të kenë respekt dhe dashuri për njëri-tjetrin, por tashmë në formën e miqësisë.
“Për të thënë një herë e mirë, ne jemi ndarë, kemi një kohë të gjatë që jemi ndarë. Ne e duam shumë njëri-tjetrin, duhemi si shokë, sepse jemi njohur që 15 vjeç”, u shpreh Murati në emisionin “Ftesë në 5”.
Ajo hodhi poshtë gjithashtu komentet se pjesëmarrja e saj në Big Brother VIP kishte ndikuar në prishjen e familjes.
“Më vjen keq që njerëzit thonë që hyra në BB, m’u rrit mendja dhe shkatërrova familjen. Këto janë trillime”, deklaroi ajo.
Françeska tregoi se vazhdon të takohet me ish-partnerin e saj dhe se marrëdhëniet mes familjeve kanë mbetur të mira.
“Unë takohem me të çdo ditë. Edhe me familjet kemi marrëdhënie të mira, ata e dinë që ne kemi respekt për njëri-tjetrin. Ai është njeri fantastik. Ne jemi ‘best friends’ sepse jemi rritur bashkë”, tha ajo.
Sqarimi për “partnerin e ri”
Gjatë intervistës, Françeska Murati foli edhe për aludimet se kishte nisur një lidhje të re. Shkak ishte bërë një foto nga plazhi, ku në reflektimin e syzeve të saj pretendohej se dukej një djalë.
Ajo mohoi se bëhej fjalë për një partner të ri dhe tha se fotografia ishte manipuluar.
“Të flasim realitetin, ajo video është bërë me Photoshop. Më vjen shumë për të qeshur sepse shumë herë fotot e mia janë bërë me AI, janë transformuar. E kanë marrë foton dhe kanë futur diçka tjetër aty”, u shpreh Murati.
Ajo sqaroi se pushimet po i kalonte me një shoqe dhe shtoi se nuk mund t’u përgjigjet çdo aludimi që qarkullon në rrjetet sociale.
“Unë jam njeri privat, jo sekret”, përfundoi Françeska Murati.




