Policia e Korçës ka zbardhur dy raste vjedhjesh të ndodhura në qytet, duke arrestuar një 18-vjeçar, ndërsa një tjetër bashkëmoshatar i tij është shpallur në kërkim. Sipas policisë, i arrestuari me inicialet A.H., në bashkëpunim me 18-vjeçarin E.Ll., dyshohet se kanë vjedhur një market në lagjen nr. 16 të Korçës. Ngjarja raportohet të ketë ndodhur rreth një muaj më parë.
Gjithashtu, dy të rinjtë dyshohet se kanë kryer edhe një vjedhje tjetër në një bar-kafe në lagjen nr. 9 të qytetit, disa javë më parë.
Pas këqyrjes së pamjeve të kamerave të sigurisë dhe veprimeve të tjera hetimore, policia ka bërë të mundur dokumentimin e dy rasteve.
Sipas të dhënave të bëra publike, në të dy bizneset dyshohet se janë marrë shuma parash dhe mallra.
Policia vijon punën për kapjen e bashkëmoshatarit të shpallur në kërkim dhe dokumentimin e plotë të rrethanave të ngjarjeve.
