Instituti i Gjeoshkencës informon se rreziku për përhapjen e zjarreve mbetet i lartë në disa qarqe të vendit gjatë ditës së sotme dhe nesër. Për pasditen e djeshme, e martë, 8 shtator dhe ditën e sotme, e mërkurë, 9 shtator, niveli i rrezikut “I LARTË” parashikohet në qarqet Shkodër, Lezhë, Dibër, Tiranë, Elbasan, Fier dhe Berat.
Në qarqet Kukës, Durrës, Korçë, Vlorë dhe Gjirokastër niveli i rrezikut parashikohet “i moderuar”.
IGJEO bën me dije se në disa prej këtyre qarqeve priten zona të lokalizuara me rrezik të lartë. Konkretisht, ato përfshijnë verilindjen e qarkut Kukës, juglindjen e Durrësit, jugun e Korçës, verilindjen e Vlorës dhe verilindjen e Gjirokastrës.
Sa i përket kushteve meteorologjike, gjatë pasdites së sotme nuk priten reshje. Ndërsa të mërkurën priten reshje lokalisht të dobëta në qarqet Kukës, Dibër, Berat, Korçë, Vlorë dhe Gjirokastër.
Temperaturat gjatë ditës së sotme pritet të luhaten nga 21°C deri në 31°C në zonat bregdetare, nga 18°C deri në 33°C në vendet e ulëta dhe nga 14°C deri në 32°C në zonat malore.

