Kolonjë/ Kishin kultivuar 270 bimë Cann*bis, policia arreston burrë e grua…

Finalizohet pas disa javësh hetime me metoda proaktive, operacioni i koduar “Partners”, për goditjen e veprimtarive kriminale në fushën e narkotikëve, njofton policia e shtetit.

“Arrestohen në flagrancë 2 shtetas (bashkëshortë), të dyshuar si autorë të kultivimit të 270 bimëve të dyshuara narkotike Cannabis Sativa, afër banesës së tyre, në fshatin Gjirakare.

Sekuestrohen 2 thasë me lëndë të dyshuar narkotike Cannabis Sativa (bimë të prera, në proces tharjeje, që u gjetën në banesën e tyre.

Si rezultat i hetimeve të kryera për disa javë, me metoda proaktive, në drejtimin e Prokurorisë, për një rast të veprimtarisë kriminale në fushën e narkotikëve, shërbimet e Komisariatit të Policisë Kolonjë finalizuan operacionin e koduar “Partners”.

Gjatë operacionit u arrestuan në flagrancë shtetasit:

-L. V., 64 vjeç dhe A. V., 54 vjeçe (bashkëshortë), banues në fshatin Gjirakare.

Nga hetimet dyshohet se këta shtetas kanë kultivuar 270 bimë të dyshuara narkotike Cannabis Sativa në një zonë të pyllëzuar në afërsi të banesës së tyre, të cilat u asgjësuan me anë të djegies.

Gjatë kontrollit në banesën e tyre u gjetën 2 thasë me lëndë të dyshuar narkotike Cannabis Sativa (bimë të prera, në proces tharjeje), të cilët u sekuestruan në cilësinë e provës materiale” thuhet në njoftimin për mediat.