Një ngarkesë me trëndafila që kishte mbërritur nga Kolumbia në Greqi rezultoi të fshihte një sasi të madhe kokaine. Rreth 100 kilogramë kokainë u sekuestruan në aeroportin ndërkombëtar “Eleftherios Venizelos” në Athinë, në një operacion të autoriteteve greke të zhvilluar pas informacioneve të marra nga zyra e DEA-s amerikane në Athinë.
Sipas mediave greke, operacioni u zhvillua të mërkurën dhe në kuadër të tij u arrestuan gjashtë persona, shumica prej tyre me shtetësi shqiptare. Katër prej të dyshuarve u arrestuan në aeroport, ku dyshohet se kishin shkuar për të marrë ngarkesën me lëndën narkotike.
Dy të tjerë u arrestuan në zonën e Marathonës, në verilindje të Athinës, pasi autoritetet dyshojnë se droga do të transportohej atje për t’u magazinuar.
Operacioni u krye nga strukturat e AADE-së, autoriteti grek i të ardhurave dhe doganave, ndërsa hetimi u mbështet edhe nga efektivë të Drejtorisë për Luftën ndaj Krimit të Organizuar.
Autoritetet greke po vijojnë hetimet për të zbardhur të gjithë skemën e trafikut dhe rolin e secilit prej personave të arrestuar.
Ngarkesa me trëndafila nga Kolumbia ishte përdorur si mënyrë për të kamufluar lëndën narkotike gjatë transportit drejt Greqisë.







