Një tjetër aksion kundër shpërndarjes së lëndëve narkotike është zhvilluar në Korçë, ku policia ka ndaluar një automjet me dy persona në bord. Gjatë ndjekjes dhe kontrollit të mjetit, pasagjeri dyshohet se ka hedhur një qese që përmbante një sasi lënde narkotike të llojit cannabis sativa.
Kontrollet e policisë kanë zbuluar gjithashtu se 31-vjeçari E.B., banues në Vlorë, mbante me vete edhe një thikë.
Ndërkohë, drejtuesi i automjetit, E.S., banues në Korçë, nuk iu bind urdhrit të policisë për të ndaluar. Pas ndjekjes, efektivët kanë bërë të mundur ndalimin e mjetit dhe konstatimin e lëndës narkotike dhe armës së ftohtë.
Në përfundim të veprimeve, strukturat hetimore të Drejtorisë Vendore të Policisë Korçë arrestuan 31-vjeçarin E.B., ndërsa drejtuesi i automjetit, E.S., u procedua në gjendje të lirë.
Materialet e çështjes i janë referuar Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Korçë për veprime të mëtejshme.
