Protestat mbi 100 ditë/ Qori: “Parlamenti të shpërbëhet , shkojmë në zgjedhje të parakohshme

Kreu i Lëvizjes Bashkë, Arlind Qori, thotë se protesta qytetare që ka kaluar tashmë 100 ditë, duhet të çojë në shpërbërjen e Kuvendit dhe rrëzimin e qeverisë Rama.

”Mazhoranca aktuale e ka humbur tërësisht legjitimitetin” dhe se vendi duhet të shkojë drejt “zgjedhjeve të parakohshme, të lira e demokratike”,-tha në ”News 24”.

Sipas tij, qëndrueshmëria e protestave lidhet me faktin se ato nuk drejtohen nga partitë politike, por organizohen nga qytetarët dhe të rinjtë. “Lëvizja Bashkë ka dhënë kontributin e saj çdo ditë, pa kërkuar protagonizëm politik”, tha Qori.

Duke iu përgjigjur akuzave për dhunë gjatë protestave, ai deklaroi se “dhuna e vërtetë është ushtruar mbi vetë protestuesit”, duke iu referuar përplasjeve me forcat e rendit. Qori mbrojti gjithashtu përballjet e aktivistëve me zyrtarë dhe figura publike, duke theksuar se kërkesa për llogaridhënie “nuk përbën dhunë, por është thelbi i demokracisë”.