Një 48-vjeçar është arrestuar nga policia në Pogradec, pasi dyshohet se ka vjedhur një automjet të lënë të ndaluar në rrugë me çelësat brenda. Ngjarja ka ndodhur mbrëmjen e kësaj të mërkure në lagjen nr. 1 të qytetit. Sipas policisë, 48-vjeçari Aurel Hamolli ka konstatuar se automjeti ishte i ndaluar dhe se drejtuesi e kishte lënë me çelësat brenda.
Hamolli dyshohet se është futur në automjet dhe është larguar me të. Pas njoftimit për ngjarjen, shërbimet e Policisë së Pogradecit kanë nisur ndjekjen e mjetit, duke bërë të mundur ndalimin e tij pak më vonë.
Policia ka arrestuar 48-vjeçarin, ndërsa vijojnë veprimet hetimore për dokumentimin e plotë të rrethanave të ngjarjes.
