Viti i ri shkollor në qarkun e Korçës do të nisë me një ulje të konsiderueshme të numrit të nxënësve, krahasuar me një vit më parë.
Sipas të dhënave zyrtare, në arsimin bazë dhe të mesëm këtë vit janë 18,448 nxënës, ose 680 më pak se një vit më parë, kur ishin 19,128.
Kjo përbën një rënie prej rreth 3.6%.
Sipas sindikatës së pavarur të arsimit në Korçë kjo shifër është alarmante por edhe e pritshme pasi ky fenomen nuk ka nisur sot por prej vitesh madje ata shtojnë se në vitet pasardhëse, akoma edhe më shumë do të ndihet numri i ulët i nxënësve.
Më të prekura janë klasat e para, ku mungesa është ndjerë prej dy vitesh, dhe sipas ekspertëve, kjo do të përshkallëzohet edhe në klasat pasuese, deri në shkollat 9-vjeçare dhe gjimnaze.
Shkaku kryesor i rënies lidhet me emigracionin e të rinjve dhe uljen e lindshmërisë në vend.
Gjithashtu ne fshatin Neviçisht, vetëm pak kilometra larg Korçës, këtë 14 shtator dyert e shkollës nuk u hapën. Shkak është bërë mungesa e nxënësve.

