Korçë/ S’ka fëmijë mbyllen shkollat në Neviçisht dhe Eçmenik

Nisin këmbanat e alarmit për demografinë dhe arsimin në zonat rurale, ndërsa viti i ri shkollor 2026-2027 ka sjellë mbylljen zyrtare të shkollës 9-vjeçare në fshatin Eçmenik të Devollit. Shkak për këtë vendim është bërë mungesa ekstreme e fëmijëve, pasi në të gjithë fshatin këtë vit janë regjistruar vetëm dy nxënës.

Dy vogëlushët e mbetur në fshat janë detyruar të zhvendosen për të nisur procesin mësimor në qytetin e Bilishtit, një kosto shtesë dhe shqetësim i madh për familjarët e tyre.

Banorët e zonës shprehen të dëshpëruar për shpopullimin e shpejtë të fshatit, duke theksuar se vit pas viti numri i fëmijëve ka rënë drastikisht, duke e bërë të pamundur funksionimin e institucioneve arsimore lokale.

Situatë kritike edhe në shkollën e Fitores

E njëjta situatë alarmante paraqitet edhe në shkollën e bashkuar të fshatit Fitore, ku këtë vit nuk është regjistruar asnjë nxënës i vetëm në klasën e 10-të, ndërsa në të gjithë shkollën numërohen gjithsej vetëm 8 fëmijë.

Banorët kujtojnë me keqardhje se dikur gjimnazi i zonës numëronte mbi 200 nxënës. Megjithatë, largimi i të rinjve, emigracioni dhe ulja e lindshmërisë kanë bërë që fshatrat e Devollit të mbeten pothuajse iluzione demografike, ku familjet detyrohen të transportojnë fëmijët drejt Bilishtit apo Korçës për shkollim.

Edhe në fshatin Neviçisht, vetëm 6-7 kilometra larg Korçës, këtë 14 shtator dyert e shkollës nuk u hapën.

Shkak është bërë mungesa e nxënësve. Dikur, fshati gumëzhinte nga zërat e fëmijëve dhe emocionet e ditës së parë të shkollës.

Por këtë vit, në Neviçisht nuk u dëgjua as zëri i tyre dhe as zilja që shënonte nisjen e vitit të ri shkollor. Shpopullimi dhe rënia e numrit të lindjeve kanë lënë gjurmë të forta në këtë fshat, i cili dikur numëronte rreth 150 familje. Sot, vetëm pak familje kanë mbetur, ndërsa shumica e banorëve janë të moshuar. Mungesa e fëmijëve ka sjellë kështu edhe mbylljen e shkollës, duke e kthyer ditën e parë të vitit shkollor në një tjetër dëshmi të boshatisjes së fshatrave shqiptarë.