Anëtari socialist i Këshillit Bashkiak të Tiranës, Halit Valteri, deklaroi në “Shqipëria Live” se Erion Veliaj duhet të lirohet nga paraburgimi, pasi sipas tij hetimi ka përfunduar prej rreth një viti dhe nuk ekziston më rreziku i ndërhyrjes në prova.
“Ka një vit që është mbyllur hetimi. Çfarë provash do të prishte këtë vit?”, u shpreh Valteri, duke ngritur pikëpyetje mbi vijimin e masës së arrestit ndaj kryebashkiakut.
Ai tha gjithashtu se ndaj Veliajt është përdorur një standard i ndryshëm krahasuar me persona të tjerë të akuzuar për vepra të rënda penale.
Valteri iu referua edhe vendimit të Gjykatës Kushtetuese, duke theksuar se Tirana ka nevojë për kryebashkiakun e saj. Sipas tij, mungesa e Veliajt po ndikon në funksionimin e administratës bashkiake, pastrimin, mirëmbajtjen e rrugëve dhe marrjen e vendimeve për investimet.
Për sa kohë që nuk është dikush për të marrë vendimin, nuk bëhet dot. Tirana ka nevojë për dorë të fortë në drejtimin e bashkisë”, përfundoi Valteri.
