E konsideroj këtë si një jetë të dytë”, kështu është shprehur pasditen e kësaj të hëne moderatori dhe gazetari Bledi Strakosha, i cili vetëm dy ditë më parë ndau me ndjekësit e tij kalvarin e vuajtjeve që kishte kaluar gjatë 12 ditëve të fundit.
I ftuar në emisionin “Rudina”, Strakosha rrëfeu se krejt papritur pësoi një hemorragji cerebrale, një gjendje shumë serioze dhe potencialisht vdekjeprurëse.
I përlotur, por njëkohësisht falënderues, gazetari tregoi se pas qëndrimit në spital ndodhet ende në fazën e rikuperimit dhe e konsideron veten me fat që ia doli ta përballonte këtë sëmundje, e cila mund ta godasë trupin e njeriut krejt papritur dhe pa paralajmërim.
“Kam humbur në peshë, por kjo nuk bën shumë përshtypje, sepse unë gjithmonë kam qenë pak elegant. E ndiej trupin pak të lodhur, pra nuk kam energjinë e dikurshme, sepse ende po rikuperohem. Ishte diçka tronditëse. Gjithçka ndodhi shumë shpejt. Mund të them që isha me fat dhe tani e konsideroj këtë një jetë të dytë.
Sepse ajo që më thanë edhe në spital, fatkeqësisht, është se 50% e njerëzve që pësojnë aneurizëm apo hemorragji cerebrale nuk arrijnë të mbijetojnë. Është vërtet diçka shumë serioze dhe mund të jetë vdekjeprurëse”, tha ai.
