“FITONI DHE PASTAJ JU THONË S’KA SHPËRBLIM!”/ Luiza Gega shpërthen pas Maratonës së Korçës: “Turp!”

Kampionia shqiptare e atletikës, Luiza Gega, ka reaguar pas pretendimeve se sportistët që u ngjitën në podium në Maratonën e Korçës kanë mbetur pa shpërblimet e tyre. Edhe pse vetë nuk mori pjesë në garë, Gega bën me dije se 4 prej sportistëve që u ngjitën në podium ishin sportistë të saj.

Përmes një reagimi në rrjetet sociale, atletja shpreh indinjatën për mënyrën se si është komunikuar çështja e shpërblimeve, pasi sportistët kishin përfunduar garën dhe kishin siguruar vendet në podium.

“Sportistët profesionistë shkojnë në gara për të konkurruar dhe për të fituar. Ky është profesioni që kanë zgjedhur, puna për të cilën stërviten dhe sakrifikojnë çdo ditë.

Pastaj, pasi garojnë, fitojnë dhe hipin në podium, u thuhet: ‘Shpërblim nuk do të ketë, sepse sponsori është tërhequr’”, shkruan Gega.

Ajo kritikon mënyrën e organizimit të aktivitetit, duke theksuar se një situatë e tillë nuk është mënyra e duhur për t’u trajtuar sportistët profesionistë.

“Si mund t’ia komunikosh këtë një sportisti pasi ka përfunduar garën dhe ka fituar çmimin? Kjo nuk është mënyra si trajtohen sportistët profesionistë dhe as si organizohet një aktivitet serioz. Turp”, shprehet ajo.

Në fund, Gega thekson se shqetësimi i saj nuk lidhet vetëm me vlerën e shpërblimit, por mbi të gjitha me mënyrën se si janë trajtuar sportistët.

Më shumë më irriton mënyra se si trajtohen sportistët, sesa ato pak lekë që, në fund të fundit, as ato nuk po ua jepni. 4 prej sportistëve që u ngjitën në podium ishin tanët.

Leave a Reply

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.