Një operacion i koduar “Silver” është finalizuar nga Seksioni për Hetimin e Krimeve Ekonomike dhe Financiare në DVP Korçë, duke çuar në procedimin penal të dy shtetasve.
Në kuadër të hetimit të kryer me metoda proaktive, policia ka proceduar penalisht shtetasit E. M., 45 vjeç dhe S. P., 65 vjeç, të dy banues në Tiranë.
Sipas policisë, dy personat u kapën në shëtitoren “Shën Gjergji” në Korçë, teksa shisnin bizhuteri argjendi, pa lëshuar fatura tatimore.
Gjatë kontrollit, shërbimet e Policisë sekuestruan si provë materiale bizhuteri të ndryshme argjendi, me peshë totale 27 kilogramë, të cilat nuk dispononin dokumentacion shoqërues.
Materialet procedurale i janë referuar Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Korçë, për veprime të mëtejshme.
Dy shtetasit po procedohen për veprat penale “Kontrabanda me mallra të tjera”, “Tregëtimi dhe transportimi i mallrave që janë kontrabandë”, “Fshehja e të ardhurave” dhe “Moslëshimi i kuponit tatimor, dëftesës apo faturës tatimore”.
