Ndahet nga jeta mjekja Shqiptare Anila Thomai, prej vitesh u shërbeu pacientëve në Treviso

Është ndarë nga jeta në moshën 58-vjeçare mjekja shqiptare Anila Thomai, e cila prej më shumë se dy dekadash ushtronte profesionin në qytetin e Trevisos, në Itali. Thomai kishte ndërtuar ndër vite një marrëdhënie të veçantë me pacientët e saj. Ajo kishte klinikën e saj në Via Burchiellati, në qendër të Trevisos, ku ishte bërë një figurë e njohur dhe e vlerësuar nga shumë familje.

Mjekja shqiptare ishte pjesë e shërbimit shëndetësor të USL 2 që prej vitit 2005, duke u shërbyer pacientëve me përkushtim dhe profesionalizëm.

Sipas të dhënave të bëra publike, edhe pse po përballej me një sëmundje të rëndë, Anila Thomai vijoi të punonte dhe të kujdesej për pacientët e saj për aq kohë sa gjendja shëndetësore ia lejoi.

Lajmi për ndarjen e saj nga jeta ka shkaktuar dhimbje te pacientët, kolegët dhe familjet që e kishin njohur ndër vite.

Për shumë prej tyre, ajo nuk ishte vetëm mjekja ku drejtoheshin për kujdes shëndetësor, por edhe një person që dinte t’i dëgjonte dhe t’u qëndronte pranë në momente të vështira.

Anila Thomai lë pas kujtimin e një mjekeje shqiptare që për vite me radhë i shërbeu komunitetit në Treviso.

Leave a Reply

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.