Klosi mbron SHISH-in: “Fajet e individëve nuk duhet të shkojnë për institucionin”

Sekretari i Përgjithshëm i Partisë Socialiste, Blendi Klosi, ka komentuar zhvillimet e fundit lidhur me ish-drejtuesen e Shërbimit Informativ të Shtetit, Vlora Hyseni, e cila është akuzuar nga SPAK për dy vepra penale.

I ftuar në emisionin “Opinion”, Klosi u shpreh se përgjegjësia për veprimet e individëve duhet të ndahet nga përgjegjësia institucionale, duke theksuar rëndësinë e ruajtjes së integritetit të SHISH.

Sipas tij, situata e krijuar është një çështje me karakter institucional, veçanërisht pas mbledhjes së Këshillit të Sigurisë Kombëtare.

“Po hidhet baltë mbi institucionet e sigurisë kombëtare, një nga të cilat është edhe SHISH. Flitet për një institucion që është partner i rëndësishëm i partnerëve tanë”, u shpreh Klosi.

Ai theksoi se SHISH ka një rol të rëndësishëm në sigurinë kombëtare dhe në bashkëpunimin me institucionet shqiptare dhe partnerët ndërkombëtarë.

“Fajet e individëve të caktuar nuk duhet të shkojnë për institucionin. Është antishqiptare që të goditet SHISH, sepse është institucion i ndjeshëm ndaj sulmeve”, deklaroi Klosi.

Duke iu referuar situatës së krijuar, ai tha se nuk ka dokument që të dëshmojë se institucioni po vepron kundër interesit kombëtar.

“Nuk ka dokument që institucioni të jetë duke punuar kundër interesit kombëtar”, përfundoi ai.

Leave a Reply

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.