“Jemi në rrugë se…”/ Braçe përplaset me qytetarin tek stenda e referendumit

Një debat mes deputetit socialist Erion Braçe dhe një qytetari është regjistruar pranë një prej stendave të ngritura në Tiranë nga anëtarët e Lëvizja Shqipëria Bëhet, ku po mblidhen firma për një referendum.

Sipas pamjeve të publikuara nga anëtarët e kësaj lëvizjeje, Braçe është afruar pranë stendës dhe ka pyetur fillimisht se për çfarë kërkoheshin firmat. Më pas, ai është përfshirë në një debat me një qytetar që kishte shkuar për të dhënë firmën e tij.

Situata duket se tensionohet gjatë diskutimit. Në video, deputeti dëgjohet t’i drejtohet qytetarit me shprehjen: “Jemi në rrugë se…”, e cila nga personat që kanë publikuar videon është interpretuar si një kërcënim.

Qytetari i përgjigjet: “Hajde ku të duash ti.”

Pas këtij momenti, të dy largohen disa metra nga stenda, ndërsa sipas pamjeve dhe përshkrimit të publikuar nga anëtarët e “Shqipëria Bëhet”, debati vijon jashtë kuadrit të kamerës.

Më vonë, qytetari rikthehet pranë stendës për të vijuar procesin e firmosjes. Në video dëgjohet teksa i drejtohet deputetit me fjalën “maskara”.

Anëtarët e “Shqipëria Bëhet” e pyesin qytetarin se çfarë i kishte thënë deputeti gjatë debatit. Ai pretendon se është sharë dhe, duke iu referuar bisedës, shprehet: “Të shkë****fsha atë që të ka bërë.”*

Pamjet janë publikuar në rrjetet sociale nga anëtarët e “Shqipëria Bëhet”, ndërsa nga videoja nuk është e qartë e gjithë biseda që është zhvilluar jashtë kuadrit të kamerës.

Leave a Reply

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.