Tragjedi në futbollin Grek/ 16-vjeçari me origjinë Shqiptare humbet jetën pas goditjes në kokë gjatë ndeshjes

Një ngjarje tragjike ka tronditur komunitetin sportiv në Kavala të Greqisë. Një futbollist 16-vjeçar me origjinë shqiptare ka humbur jetën pas një dëmtimi të rëndë në kokë, të pësuar gjatë një ndeshjeje futbolli në ishullin Thassos.

Bëhet fjalë për Asllan Gjanën, futbollist i skuadrës Byronas Kavala, i cili po luante ndaj Aiandas Panagias, në kuadër të kampionatit të kategorisë së dytë të Shoqatës së Futbollit të Kavalës.

Ngjarja e rëndë ndodhi që në minutën e dytë të takimit. Gjatë një dyluftimi për topin, 16-vjeçari doli jashtë fushës dhe u përplas me pjesën e pasme të kokës në gardhin rrethues të stadiumit.

Pas goditjes, futbollisti humbi ndjenjat dhe ndeshja u ndërpre menjëherë. Atij iu dha ndihma e parë nga mjeku i takimit, ndërsa në stadium mbërriti edhe shërbimi i urgjencës mjekësore.

Për shkak të gjendjes së rëndë, Asllan Gjana u transportua me urgjencë drejt Spitalit të Kavalës, ku u shtrua në repartin e kujdesit intensiv.

Pavarësisht përpjekjeve të mjekëve, 16-vjeçari nuk arriti të mbijetojë.

Lajmi ka shkaktuar tronditje dhe dhimbje të madhe te familjarët, shokët e skuadrës dhe komuniteti sportiv në Kavala.

Edhe klubi Byronas Kavala ka reaguar përmes një mesazhi prekës, duke shprehur dhimbjen për humbjen e futbollistit të ri.

“Me dhimbje të padurueshme dhe trishtim të papërshkrueshëm, familja atletike e Byron Kavalës i jep lamtumirën njërit prej fëmijëve të saj”, thuhet në reagimin e klubit.

“Byroni i Kavalës është në zi, ka humbur një nga fëmijët e tij. Udhëtim të mbarë, djali ynë, ti do të jetosh përgjithmonë në zemrat tona”, vijon mesazhi.

Një tragjedi që ka lënë pas dhimbje të madhe në familjen e 16-vjeçarit dhe në komunitetin ku ai luante futboll.

Leave a Reply

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.