Në restorantin e tij në Boston hynin presidentë, senatorë dhe artistë me famë botërore. Por kur në derë shfaqej një shqiptar, Anthony Athanas shihte para së gjithash një bashkatdhetar.
I lindur në Korçë në korrik të vitit 1911, Athanas u bë një nga emrat më të njohur të komunitetit shqiptaro-amerikan gjatë shekullit të kaluar. Restoranti i tij, “Anthony’s Pier 4”, u kthye në një prej ambienteve më të njohura të Bostonit, ku ndër vite u pritën personalitete të shumta amerikane dhe ndërkombëtare.
Por ata që e njihnin e kujtojnë jo vetëm për suksesin e biznesit, por mbi të gjitha për njeriun pas tij. Buzëqeshja e ngrohtë, mikpritja dhe mënyra e thjeshtë me të cilën priste çdo klient e bënin të ndihej si në shtëpinë e vet.
Pasuria dhe fama nuk e shkëputën nga rrënjët. Athanas mbeti i lidhur me komunitetin shqiptaro-amerikan, me Federatën “Vatra” dhe me Shqipërinë.
Ai u nda nga jeta në maj të vitit 2005, duke lënë pas një emër të njohur jo vetëm në historinë e gastronomisë amerikane, por edhe në kujtesën e diasporës shqiptare.
Anthony Athanas mbetet një prej shembujve të shqiptarëve që ndërtuan një jetë të suksesshme larg vendlindjes, pa harruar kurrë nga vinin.


