Komisioni i Disiplinës dhe Etikës në FSHF ka publikuar vendimet për javën e pestë të Abissnet Superiore, ku një nga klubet më të ndëshkuara është Vora, pas incidenteve të regjistruara në përballjen me Skënderbeun.
Klubi i Vores është dënuar me dy ndeshje pa praninë e tifozëve në stadiumin përkatës, si dhe me një gjobë prej 200 mijë lekësh, për shkak të mosgarantimit të rendit dhe sigurisë gjatë dhe pas ndeshjes, si dhe hedhjes së sendeve në fushën e lojës.
Por masat disiplinore nuk janë ndalur te klubi. Drejtori i Vorës, Bazion Tragaj, është dënuar me 10 ndeshje të tjera pezullim nga çdo veprimtari e organizuar nga FSHF, si dhe me 50 mijë lekë gjobë.
Sipas vendimit, masa ndaj Tragajt lidhet me sjelljen e dhunshme ndaj zyrtarëve të ndeshjes dhe mosrespektimin e një vendimi të mëparshëm të Komisionit të Disiplinës, të datës 17 shtator 2026. Periudha e pashlyer e pezullimit të mëparshëm do t’i shtohet dënimit të ri.
Ndërkohë, paralajmërim ka marrë edhe trajneri Arian Bellai, për mosparaqitjen në intervistën pas ndeshjes. FSHF i ka bërë të ditur se përsëritja e kësaj shkeljeje mund të sjellë masa të tjera disiplinore.
Vendimet vijnë pas një përballjeje të tensionuar mes Vorës dhe Skënderbeut, ku episodet e ndodhura kanë sjellë pasoja të drejtpërdrejta për klubin dhe drejtuesit e tij.
