Analisti Fatos Lubonja ka kritikuar deklaratat e presidentes së Komisionit Europian, Ursula von der Leyen, gjatë vizitës së saj në Tiranë, duke i cilësuar mesazhet për sukseset e Shqipërisë si të shkëputura nga realiteti i vendit.
I ftuar në emisionin “Minuta e Parë” në News24, me gazetaren Ola Bruko, Lubonja u shpreh se deklaratat e zyrtares europiane bien ndesh me protestat që, sipas tij, prej katër muajsh shprehin pakënaqësinë e qytetarëve ndaj klasës politike dhe zhvillimeve të 35 viteve të fundit.
Ai nuk i kurseu kritikat as ndaj vetë Von der Leyen, duke e cilësuar si “politikane të dështuar” dhe duke përmendur pakënaqësitë ndaj saj në Itali.
“Këta politikanë europianë janë të dështuar. Von der Leyen është një figurë e dështuar, sidomos në Itali. Ka pakënaqësi të madhe që po i bën të humbasin votat”, deklaroi Lubonja.
Sipas analistit, zyrtarët europianë po përpiqen të ruajnë narrativën e suksesit të Shqipërisë, pavarësisht problematikave që ai pretendon se janë evidentuar ndër vite.
Lubonja shkoi edhe më tej, duke kërkuar që protestat të shtrihen edhe përpara zyrave të Bashkimit Europian në Shqipëri, për shkak të qëndrimeve që ai i konsideron si mbështetje për atë që e cilësoi “narko-shtet”.
“Ne duhet të protestojmë dhe ndaj zyrave të BE-së, për këto qëndrime që mbështesin narko-shtetin për interesat e tyre. S’u bën keq as atyre, as neve”, u shpreh ai.
Deklaratat e Lubonjës vijnë pas vizitës së Von der Leyen në Tiranë, ku presidentja e Komisionit Europian përcolli mesazhe për ecurinë e Shqipërisë dhe procesin e integrimit europian.
