Eli Fara i drejtohet publikut: “Mendoni për njeriun dhe familjen që po lëndoni”

Këngëtarja Korçare Eli Fara ka reaguar publikisht pas cenimit të privatësisë së saj, duke shprehur dhimbjen për situatën e krijuar dhe gjykimet me të cilat po përballet, të cilat sipas saj prekin edhe familjen.

Përmes një deklarate të ndjerë, artistja thekson se asnjë grua nuk duhet të përjetojë një poshtërim të tillë, duke dënuar publikimin dhe shpërndarjen e momenteve private pa dijeninë dhe pëlqimin e personit.

“Jam e lënduar, por nuk kam arsye të turpërohem. Turpi u përket atyre që filmojnë, publikojnë dhe shpërndajnë momente private pa dijeninë dhe pëlqimin e një njeriu”, shprehet Eli Fara.

Këngëtarja ngre gjithashtu shqetësimin për mënyrën se si shoqëria shpesh i vendos gratë përballë gjykimeve, duke u kërkuar të mbajnë mbi supe edhe turpin e veprimeve të kryera kundër tyre.

Ajo thekson se të qenit artiste nuk ia heq të drejtën për privatësi dhe dinjitet, ndërsa nënvizon se intimiteti i një gruaje nuk mund të përdoret si arsye për ta poshtëruar.

Eli Fara bën të ditur se çështjen do t’ia lërë në dorë drejtësisë, ndërsa publikut i kërkon njerëzi dhe ndalimin e shpërndarjes së materialeve private.

“Përpara çdo gjykimi, mendoni për njeriun dhe familjen që po lëndoni”, apelon artistja.

Në fund të reagimit, ajo falënderon familjen, miqtë, kolegët dhe të gjithë ata që i kanë qëndruar pranë në këtë moment të vështirë, duke theksuar se do të marrë kohën e nevojshme për të vijuar përpara me dinjitet dhe kokën lart.

“Do të marr kohën që më duhet dhe do të vazhdoj përpara, me dinjitet dhe me kokën lart”, përfundon Eli Fara.

Leave a Reply

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.