“Salsano Rrapi jashtë”/ Agron Llakaj: “Portokallia është tren që ecën fuqishëm”

Agron Llakaj ka folur për rikthimin e tij në spektaklin “Portokalli”, duke zbuluar se ky rikthim ishte edhe një dëshirë e bashkëshortes së tij të ndjerë, Kostandinës. I ftuar në emisionin “Goca dhe Gra”, Llakaj tregoi se është rikthyer në “Portokalli” me një trupë të re dhe se synimi i tij është të ndërtojë një tjetër kapitull të spektaklit.

“Kostandina e donte rikthimin tim në Portokalli. E kam filluar këtë betejë me trupën që kam gjetur. Të vetmin aktor që kam marrë nga ata të mitë, ishte Albano Bogdo”, u shpreh ai.

Llakaj theksoi se marrëdhënien me trupën e re e sheh përtej rolit të drejtorit, duke e konsideruar veten njëkohësisht regjisor, aktor dhe koleg.

“Unë ndaj sytë, shpirtin, zemrën me ta. Unë jam drejtori, regjisori, aktori, kolegu i tyre”, tha ai.

Por një pjesë e veçantë e intervistës lidhej me Salsano Rrapin dhe largimin e tij nga “Portokalli”. Llakaj sqaroi se nuk ka qenë ai që e ka larguar aktorin.

“Me Salsano Rrapin, unë nuk kam pasur asnjë lloj kontakti. Këtu kur erdha, unë erdha me këto atribute, drejtori i Portokallisë. Kur ika unë, nuk më erdhi keq kur zuri vendin tim”, deklaroi Llakaj.

Më tej, ai shtoi se ka ndjerë një lloj heshtjeje nga ana e Rrapit dhe kujtoi rolin që kishte pasur vetë në afrimin e tij me “Portokallinë”.

“Nuk e kam larguar. Kam ndjerë heshtjen nga ana e tij. Çdo talenti unë i kam dhënë një dorë që të ketë një mundësi. Doni të thoni që Salsano Rrapin e mora unë në Portokalli? Unë e mora”, u shpreh ai.

Llakaj tha se kishte dashur që premierën e parë të rikthimit ta ndante edhe me Salsanon, duke e vlerësuar si një aktor me talent.

“Doja që këtë premierën e parë unë ta ndaja me Salsanon. Ai është aktor plot talent. Doja të vazhdonte rolet e tij. Nuk jam i zhgënjyer. Nuk kam kohë të respektoj zhgënjimin”, tha Llakaj.

Në fund, ai iu referua edhe një prej shprehjeve të të ndjerit Dritan Hoxha për “Portokallinë”, duke e krahasuar spektaklin me një tren që vazhdon të ecë pavarësisht se kush zbret apo hipën.

“Portokallia është një tren i fuqishëm. Ecën, ndalon, zbresin. Por treni vrapon dhe unë vrapoj me trenin. Kush do të vrapojë me mua, është i mirëpritur”, u shpreh Llakaj.

Ai foli gjithashtu edhe për Kiara Titon, duke e vlerësuar pozitivisht pas kontaktit të parë me të.

“Kiara në moshë është vajza ime. Kiara në reagimin e parë që ka qenë me mua, di të them që ka një notë pozitive nga unë”, tha Agron Llakaj.

Leave a Reply

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.