Policia e Korçës ka nisur procedimin penal në gjendje të lirë për dy shtetase, pas rastit të intoksikimit të 6 fëmijëve që frekuentonin të njëjtin kopsht publik në qytet..Bëhet fjalë për një mjeke 57-vjeçare të pavijonit të Pediatrisë në Spitalin Rajonal Korçë, me inicialet E. X., si dhe drejtoreshën 60-vjeçare të kopshtit, M. K.
Të dyja dyshohen për veprën penale “Shpërdorimi i detyrës”.
Sipas njoftimit të Drejtorisë Vendore të Policisë Korçë, procedimi ndaj mjekes ka nisur pasi ajo nuk ka njoftuar Policinë e Shtetit për paraqitjen në spital të 6 fëmijëve nga i njëjti kopsht, të cilët shfaqnin simptoma të njëjta gastrointestinale.
Ndërkohë, drejtoresha e kopshtit dyshohet se nuk ka përmbushur detyrimet funksionale për kontrollin dhe verifikimin e ushqimit të konsumuar nga fëmijët.
Rasti ka ngritur shqetësime lidhur me sigurinë ushqimore në institucionet parashkollore dhe përgjegjësinë e personave që kanë për detyrë të garantojnë shëndetin e të miturve.
Materialet procedurale i janë referuar Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Korçë, për veprime të mëtejshme hetimore.

Prindërit shprehen të indinjuar dhe kërkojnë ndërhyrjen e institucioneve përgjegjëse për verifikimin e menjëhershëm të situatës, si dhe marrjen e masave për garantimin e sigurisë dhe shëndetit të fëmijëve.
