Një aksident i rëndë rrugor me pasojë vdekjen e një personi ka ndodhur pak më parë në afërsi të fshatit Bulgarec, në hyrje të qytetit të Korçës. Sipas informacioneve paraprake, një punonjës i Policisë Rrugore, i cili sapo kishte përfunduar shërbimin, është përfshirë në një aksident me automjetin e tij, ku ka përplasur një biçikletë.
Përplasja ka qenë e fortë dhe për pasojë drejtuesi i biçukletes, një rreth 60-vjeçar, ka humbur jetën në vendngjarje.
Korçë/Informacion paraprak
Rreth orës 07:10, në aksin rrugor “Korçë-Pogradec”, në afërsi të fshatit Bulgarec, automjeti me drejtues shtetasin D. M., rreth 30 vjeç, punonjës policie jashtë shërbimit, është përplasur me një biçikletë që drejtohej nga shtetasi R. A., rreth 60 vjeç.
Si pasojë e përplasjes, shtetasi R. A. ka humbur jetën në vendngjarje.
Drejtuesi i automjetit, shtetasi D. M., po merr mjekim në spital, në gjendje të rëndë shëndetësore. Grupi hetimor dhe Agjencia e Mbikëqyrjes Policore (AMP), nën drejtimin e Prokurorisë, ndodhen në vendngjarje dhe po punojnë për sqarimin e rrethanave dhe shkaqeve të aksidentit.
