Këta janë dy të rinjtë, njëri nga Maliqi dhe tjetri nga Mokra që humbën jetën në aksidentin e rëndë në Greqi(Foto)

Një aksident tragjik ka tronditur komunitetin shqiptar në Greqi, ku dy të rinj shqiptarë kanë humbur jetën pas një përplasjeje të rëndë të ndodhur mbrëmjen e djeshme në Nea Peramos të Kavallës.

Viktimat janë Arditi, 34 vjeç nga Maliqi dhe Marigleni, 36 vjeç nga Mokra të cilët, sipas të dhënave paraprake, ishin miq të afërt.

Aksidenti ndodhi në aksin rrugor që lidh Nea Peramos me zonën e Ammolofoit, ku u përfshinë një motor dhe një monopatinë elektrike.

Arditi, i cili po udhëtonte me motor, pësoi plagë të rënda dhe nuk mundi t’u mbijetonte dëmtimeve të marra nga përplasja.

Ndërkohë, Marigleni, i cili lëvizte me monopatinë elektrike, u transportua në gjendje të rëndë drejt Spitalit të Përgjithshëm të Kavallës. 36-vjeçari iu nënshtrua një ndërhyrjeje kirurgjikale, por pavarësisht përpjekjeve të mjekëve, ndërroi jetë gjatë orëve të para të mëngjesit.

Kështu, bilanci i aksidentit tragjik shkoi në dy viktima.

Humbja e dy të rinjve ka shkaktuar dhimbje të madhe te familjarët, miqtë dhe të afërmit e tyre, të cilët po përballen me një humbje të dyfishtë dhe të papritur.

Ndërkohë, autoritetet greke kanë nisur hetimet për të zbardhur rrethanat e plota të aksidentit dhe për të përcaktuar shkaqet e përplasjes.

Leave a Reply

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.