Parakalime të rrezikshme në Korçë dhe Pogradec, policia ndëshkon dy drejtuesit

Dy drejtues automjetesh janë ndëshkuar nga Policia e Korçës pas publikimit të videove në rrjetet sociale, ku shfaqeshin duke kryer parakalime të gabuara dhe të rrezikshme. Sipas Drejtorisë Vendore të Policisë Korçë, pas verifikimit të pamjeve u bë i mundur identifikimi i drejtuesve të mjeteve.

Njëri prej tyre, shtetasi R. M., drejtues i një furgoni për transportin e qytetarëve, u identifikua duke kryer parakalim të gabuar në një segment me fushëpamje të kufizuar në aksin rrugor “Pogradec-Qafë Thanë”.

Për shkeljen e konstatuar, ai u ndëshkua me masë administrative 10 mijë lekë, bazuar në pikën 16 të nenit 146 të Kodit Rrugor.

Ndërkohë, edhe shtetasi E. P., drejtues i një tjetër furgoni, u identifikua pas një videoje të publikuar në rrjetet sociale, ku shfaqej duke kryer parakalim të gabuar në një rrugë në qytetin e Korçës.

Edhe ndaj tij u vendos masa administrative prej 10 mijë lekësh, në bazë të të njëjtës dispozitë të Kodit Rrugor.

Policia e Korçës ka falënderuar qytetarët dhe median për denoncimin e rasteve të shkeljes së rregullave të qarkullimit dhe i ka ftuar ata të raportojnë në numrin 112 çdo rast të ngjashëm.

Leave a Reply

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.