Gjashtë fëmijë që frekuentojnë një kopsht në qytetin e Korçës janë paraqitur për ndihmë mjekësore, pasi dyshohet se janë intoksikuar nga ushqimi i konsumuar në ambientet e institucionit.
Fëmijët janë dërguar në repartin e Pediatrisë në Spitalin e Korçës, ku po marrin kujdesin e nevojshëm mjekësor. Sipas informacioneve paraprake, gjendja e tyre shëndetësore nuk paraqitet e rëndë.
Dyshimet e para lidhen me ushqimin që u është servirur në kopsht, por ende nuk është përcaktuar shkaku i saktë që ka shkaktuar shqetësimet shëndetësore te të miturit.
Pas ngjarjes, policia ka nisur hetimet për të zbardhur plotësisht rrethanat. Pjesë e verifikimeve pritet të jetë ushqimi i konsumuar nga fëmijët, mënyra e përgatitjes dhe kushtet higjieno-sanitare në të cilat është shërbyer.
Ndërkohë, pritet që autoritetet shëndetësore të kryejnë analizat përkatëse për të përcaktuar nëse bëhet fjalë për një rast intoksikimi ushqimor dhe për të identifikuar shkakun.

Prindërit shprehen të indinjuar dhe kërkojnë ndërhyrjen e institucioneve përgjegjëse për verifikimin e menjëhershëm të situatës, si dhe marrjen e masave për garantimin e sigurisë dhe shëndetit të fëmijëve.
