Pritej të niste Universitetin, por aksidenti i mori jetën në moshën 18-vjeçare/ Reagon Gjimnazi i Korçës: “Na pikëllove, Flor’!”

Një ngjarje e rëndë ka tronditur Korçën, pas humbjes tragjike të jetës së një 18-vjeçari, i cili u përplas për vdekje nga një automjet. I riu, Flori, ishte nxënës i gjimnazit “Themistokli Gërmenji” në Korçë dhe sapo kishte përfunduar studimet e mesme. Ai pritej të niste një tjetër etapë të jetës, atë universitare, por gjithçka u ndërpre në mënyrë tragjike.

Lajmi ka prekur thellë edhe mësuesit e gjimnazit ku Flori kishte kaluar vitet e shkollës. Një prej profesorëve të tij ka ndarë një mesazh prekës në kujtim të 18-vjeçarit, duke kujtuar mirësinë, pafajësinë dhe buzëqeshjen e tij.

Reagimi i Gjimnazit Themistokli Gërmenji ,Korçë

“Flor’, kthehu para, mos më detyro të marr masa drastike! Do të të heq nga Facebook-u!”, i thoshte me shaka profesori, ndërsa Flori i përgjigjej: “Më fal, profesor!”.

“Ti nuk e dije, por të ngacmoja enkas, se prisja buzëqeshjen tënde që më çlodhte”, vijon mesazhi prekës.

Profesori tregon se pas përfundimit të gjimnazit nuk arriti të mësonte se në cilin fakultet do të regjistrohej Flori. Tashmë, ai i drejtohet ish-nxënësit me fjalë dhimbjeje, duke e lidhur tragjedinë me planet e papritura të jetës.

“Flor’, kthehu para, se do të të heq nga FB!

Për herë të parë ti nuk më dëgjon. Sepse nuk do të kthehesh më kurrë nga rruga për ku u nise kaq herët…

Na pikëllove, Flor’!

Profesori yt…”

Humbja e 18-vjeçarit ka lënë pas dhimbje te familjarët, miqtë, mësuesit dhe bashkëmoshatarët e tij, ndërsa gjimnazi “Themistokli Gërmenji” ka humbur një prej nxënësve të tij në një moshë kur jeta sapo po niste.

Leave a Reply

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.