Tifozët e Skënderbeut, të njohur si “Ujqërit e Dëborës”, kanë reaguar për situatën e ekipit, duke kërkuar ndryshime në drejtimin e klubit dhe largimin e trajnerit Ahmataj. Përmes një qëndrimi të tyre, tifozët theksojnë se fillimisht kanë qenë në mbështetje të trajnerit dhe kundër kritikave të shumta që i janë bërë, duke vlerësuar punën e tij.
Megjithatë, sipas tyre, tashmë ka ardhur momenti që bashkëpunimi të marrë fund.
“Ne, si tifozeri, ishim pro trajnerit Ahmataj dhe kundër kritikave që iu bënë. Respektojmë punën që ka bërë, por besojmë se ka ardhur momenti që ai të largohet”, shprehen tifozët.
Ata nënvizojnë se përgjegjësia për situatën e krijuar nuk duhet t’i atribuohet vetëm trajnerit, duke ngritur pikëpyetje edhe mbi merkaton dhe vendimet e marra nga drejtuesit e klubit.
Një tjetër pikë që kanë veçuar “Ujqërit e Dëborës” është deklarata e Ahmatajt në ndeshjen miqësore ndaj Pogradecit, përpara nisjes së kampionatit, ku sipas tyre trajneri e kishte cilësuar Skënderbeun si një ekip që do të luftonte për mbijetesë.
Në përfundim të reagimit, tifozët i drejtohen drejtpërdrejt presidentit Ardjan Takaj, duke kërkuar ndërhyrje dhe ndryshime jo vetëm në stolin e trajnerit, por edhe në strukturat drejtuese të klubit.
Mesazhi i tyre është i qartë: Skënderbeu ka nevojë për ndryshime dhe përgjegjësia duhet të ndahet në të gjitha nivelet e klubit.

