Një lajm i trishtë ka tronditur komunitetin akademik shqiptar. Pedagogia e njohur, Prof. Asoc. Dr. Juliana Zaharia, është ndarë nga jeta papritur në moshën 49-vjeçare, duke lënë pas dhimbje të madhe te familjarët, miqtë, kolegët dhe studentët e saj.
Lajmi i hidhur është bërë publik nga Departamenti i Punës dhe Politikës Sociale, pranë Fakultetit të Shkencave Sociale, ku Juliana Zaharia dha për vite me radhë një kontribut të çmuar në mësimdhënie dhe në jetën akademike.
Përmes një mesazhi prekës, kolegët e saj kanë shprehur dhimbjen për humbjen e parakohshme, duke e kujtuar si një pedagoge të përkushtuar dhe një kolege të respektuar nga studentët dhe bashkëpunëtorët.
“Kolegia jonë e dashur Prof. Asoc. Dr. Juliana Zaharia ndërroi jetë në mënyrë të papritur. Juli ishte pedagoge dhe kolege e shkëlqyer, gëzonte respektin e studentëve dhe të gjithë bashkëpunëtorëve. Ngushëllime nga zemra për mamanë, motrën, familjen, kolegët dhe miqtë!”, thuhet në mesazhin e publikuar nga departamenti.
Lamtumira e fundit mes lotësh dhe dhimbjesh
Mes dhimbjes së madhe dhe lotëve, familjarë, miq, studentë dhe kolegë i dhanë lamtumirën e fundit pedagoges Juliana Zaharia mesditën e kësaj të diele.
Humbja e saj e parakohshme lë pas një boshllëk të madh te njerëzit që e njohën dhe bashkëpunuan me të ndër vite. Për studentët, ajo do të kujtohet si një pedagoge që gëzonte respektin e tyre, ndërsa për kolegët si një bashkëpunëtore e çmuar dhe një pjesë e rëndësishme e komunitetit akademik.
Ndarja e saj e papritur nga jeta, në një moshë ende të re, është një humbje e rëndë për familjen dhe për arsimin e lartë shqiptar.


