Historiani dhe studiuesi Auron Tare ka ngritur shqetësimin për gjendjen e rëndë të banesave të dy figurave të shquara të letërsisë shqiptare, Lasgush Poradecit dhe Mitrush Kutelit, në Pogradec. Përmes pamjeve dhe një reagimi publik, Tare denoncon rrënimin e shtëpisë së poetit Lasgush Poradeci dhe braktisjen e banesës së shkrimtarit Mitrush Kuteli, e cila, sipas tij, është kthyer në një vendgrumbullim mbeturinash.
Tare e përshkruan me trishtim zhdukjen e hapësirës që dikur lidhej me jetën e përditshme të poetit të madh, duke vënë në dukje se shtëpia, kopshti, pemët dhe kroi i vogël nuk ekzistojnë më, ndërsa rrugica që të çonte drejt banesës është mbyllur me mure të larta.
Rrënimi i shtëpisë së Poradecit dhe gjendja e banesës së Kutelit përbëjnë një shqetësim jo vetëm për qytetin e Pogradecit, por edhe për ruajtjen e kujtesës kulturore kombëtare. Përtej vlerës së tyre si ndërtesa, këto banesa përfaqësojnë një pjesë të historisë së letërsisë shqiptare dhe të lidhjes së dy shkrimtarëve me qytetin.
Postimi i plotë:
Dikur rrugica që hynte Lasgushi për në shtëpi. I përkulur pak me bastunin në dorë, pallton e zezë me republikën në kokë dhe qenin leshator Cuci që e ndiqte pas. Për dekada me rradhë ai kalonte në sheshin e vogël me bar dhe hynte ne rrugicën e vogël shtruar me gurë të rrumbullakët. Shtëpia nuk është më.Kopështi me bar dhe pemët e mëdha nuk egziston. Kroi i vogël është tharë dhe rrugica është mbyllur me mure të larta. Pamja e rrugicën të trishton dhe tregon qartë se sa shumë Kombi shqiptar respekton poetët e tij.
“Rrënojat e Shtëpisë së Mitrush Kutelit”
Prozator, poet e folklorist, publicist, përralltar e kritik letrar, Kuteli i la që në të gjallë kulturës dhe mendimit shqiptar mbi 10 botime letrare.
Shqiptarët i hedhin plehra themeleve të shtëpisë së tij. Vetëm 20 metra nga kopështi i Lasgushit shtëpia është rrënuar dhe ka mbetur vend hedhurinash. Rrugica e ngushtë që dikur lidhte shtëpitë e dy njerzve të letrave është mbyllur me mure dhe gurë si për ti ndarë ata poetë edhe pas vdekjes.
Pjesë nga Letra e lamtumirës për bashkëshorten”
“Fëmijët i porosit ta duan vendin dhe gjuhën tonë gjer në vuajtje. Të mos u shqasë zemra kundër Shqipërisë as kur do të vuajnë pa faj. Atdheu është atdhe, bile atëherë kur të vret. Këtu kanë lindur, këtu të rrojnë me mish e shpirt, qoftë edhe me dhembje”
Dhimitër Pasko (Mitrush Kuteli)

