Një 16-vjeçar ka humbur jetën tragjikisht në restorantin ku punonte në Fushë-Krujë. Ngjarja e rëndë ndodhi paraditen e së dielës, kur i mituri Enes Isaku fillimisht është shtyrë nga kolegu i tij 26-vjeçar, Endri Stafuka. Dyshohet se i mituri dhe kolegu i tij po bënin shaka, kur 26-vjeçari e shtyu me duar drejt ashensorit që përdorej për të transportuar mallra dhe shtypi butonin për ta zbritur poshtë.
Por ashensori u shkëput papritur dhe i mituri përplasi kokën në pllaka, duke humbur jetën.
Për ngjarjen në Wedding Center Vathi, policia ka arrestuar 26-vjeçarin Stafuka nën akuzën për “Vrasje nga pakujdesia”. I mituri ishte nipi i pronarit të lokalit, Afrim Vathi. Edhe ky i fundit është arrestuar për dy vepra penale, “Shkelja e rregullave të mbrojtjes në punë” dhe “Fshehja e të ardhurave”.
Ndarja e tij e parakohshme nga jeta ka tronditur familjarët, miqtë dhe të afërmit, ndërsa i mituri pritet të përcillet këtë të hënë për në banesën e fundit. Një jetë e re u ndërpre tragjikisht në vendin e punës, ndërsa ngjarja rikthen vëmendjen te rëndësia e sigurisë në ambientet e punës dhe kontrollit teknik të pajisjeve të tilla.

