Ka nisur protesta kombëtare e studentëve para Ministrisë së Arsimit në Tiranë, ku të rinjtë janë mbledhur për të kërkuar përmirësimin e kushteve në arsim dhe për të shprehur pakënaqësinë ndaj qeverisë “Rama 4”.
Protesta është organizuar në nivel kombëtar, me thirrje drejtuar studentëve nga të gjitha qytetet e vendit, si dhe qytetarëve që dëshirojnë t’i bashkohen kauzës së tyre. Përpara godinës së Ministrisë së Arsimit, protestuesit kanë mbushur rrugët me pankarta dhe thirrje kundër qeverisë.
Gjatë tubimit, studentët kanë shprehur shqetësimin për situatën në arsim, duke akuzuar institucionet përgjegjëse për mungesë reagimi ndaj kërkesave të tyre.
Ndërkohë, protesta po monitorohet nga forcat e Policisë së Shtetit. Në zonë është vënë re edhe prania e një autoboti me ujë, ndërsa studentët vijojnë të përcjellin mesazhet dhe kërkesat e tyre.
Studenti: Nuk i besojmë më Ramës, kërkojmë largimin e tij
Gjatë protestës, një prej studentëve deklaroi se besimi te kryeministri Edi Rama është humbur, duke iu referuar edhe protestave studentore të vitit 2018. Ai theksoi se studentët nuk janë më të gatshëm të zhvillojnë negociata pa besim te qeveria dhe paralajmëroi se protestat do të vijojnë.
“Kemi ardhur që t’u japim fund sistemit komunist. Nuk ia kemi besën fare Ramës për negociata. Jemi këtu për t’i thënë kryeministrit Rama: largohu, sepse ne nuk të besojmë më. Ne do të vazhdojmë me këto protesta. Një pjesë e mirë e pedagogëve na kanë mbështetur”, u shpreh studenti.

