Rruga e Durrësit po pret tani mijëra studentë të Tiranës dhe qytetarë pa dallim, të cilët i janë bashkuar protestës dhe kërkojnë dorëheqjen e kryeministrit Edi Rama. Zona është blinduar me efektivë të Policisë së Shtetit, ndërkohë që studentët kanë mbërritur përpara Ministrisë së Arsimit disa orë para njoftimit, për në orën 14:00.
Studentët e pothuajse të gjitha fakulteteve të Tiranës kanë bojkotuar mësimin dhe i janë bashkuar protestës. Ndërkohë, studentë nga Elbasani dhe Durrësi po i bashkohen protestës, duke marshuar drejt kryeqytetit në shenjë kundërshtimi ndaj qeverisë.
Protestës i janë bashkuar edhe nxënës të gjimnazeve “Partizani” dhe “Ismail Qemali”, të cilët kanë braktisur orët e mësimit.
Zona përpara Ministrisë së Arsimit është blinduar nga forcat e Policisë së Shtetit, ndërsa deri më tani protesta vijon e qetë, pa raportime për përplasje apo incidente.
